75 Mall Live Search
14:17 / E Enjte, 31 Korrik 2025 / L K

Ka lindur foshnja “më e vjetër” në botë!

Thaddeus Daniel Pierce lindi më 26 korrik në shtetin amerikan të Ohajos dhe ajo që e bën atë të veçantë është fakti se ai vjen nga një embrion i ngrirë më shumë se tridhjetë vjet më parë – në vitin 1994, përpara se prindërit e tij aktualë, Lindsey dhe Tim Pierce , të fillonin shkollën fillore.

“Ne nuk synuam të thyenim ndonjë rekord. Ne vetëm donim të kishim një fëmijë”, tha Lindsey për MIT Technology Review, duke shtuar se Thaddeus tani ka një “motër 30-vjeçare”.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga binjakë të lindur në Oregon në vitin 2022, gjithashtu nga një embrion 30-vjeçar.

Embrioni i Thaddeus u krijua gjatë një procedure IVF (fertilizimi in vitro) në vitet 1990 për Linda Archerd dhe ish-bashkëshortin e saj, të cilët po luftonin me infertilitetin. Nga katër embrionet e krijuara, njëri u përdor për një shtatzëni që rezultoi në lindjen e një vajze – tani një grua 30-vjeçare dhe nënë e një vajze 10-vjeçare. Tre embrionet e mbetura mbetën të ngrira.

“Gjithmonë kam dashur shumë një fëmijë tjetër. I quaja ‘tri shpresat e mia të vogla'”, tha sot Linda Archerd, 62 vjeç.

Është vlerësuar se miliona, ndoshta dhjetëra miliona, embrione ndodhen aktualisht në ngrirës në të gjithë botën sepse ishin të tepërta gjatë procedurave të fertilizimit in vitro, të cilat zakonisht prodhojnë më shumë embrione sesa mund të implantohen.

Pas divorcit, Archerd mori kujdestarinë e embrioneve. Disa vite më vonë, ajo mësoi për mundësinë e dhurimit përmes “adoptimit të embrioneve”, një formë dhurimi që shpesh organizohet nga agjencitë e krishtera në Shtetet e Bashkuara. Ajo pranoi t’i jepte embrionet e mbetura për adoptim dhe ato u përfshinë në programin e “embrioneve të vështira për t’u adoptuar”, që zakonisht do të thotë se ato kishin qenë në ruajtje për një kohë të gjatë ose konsideroheshin të pamundura për të rezultuar në një shtatzëni të suksesshme.

Lindsey dhe Tim, tani 35 dhe 34 vjeç, iu bashkuan të njëjtit program pasi luftuan pa sukses për të pasur një fëmijë për shtatë vjet./Indeksonline/