Ka miratimin e Ronaldos, Juventus nis punën për transferimin e Dzekos

Objektivi primar i Juventusit në merkato, është të afrojë në skuadër një sulmues qendror që të dijë të dalë shpesh nga zona e të tërheqë mbrojtësit, për të liruar hapësira për Cristiano Ronaldon, pak a shumë siç ndodhte te Realit i Madridit, kur ylli portugez luante në krah të Benzema.
E në pamundësi për të afruar sulmuesin francez, i cili është pjesë e rëndësishme e projektit të Realit të Madridit, te Juventus kanë identifikuar si profilin ideal për atë pozicion, sulmuesin 34-vjeçar të Romës, Edin Dzeko.
Ky i fundit është mjaft i fortë në luftën në ajër, di të ulë topa për shokët, por mbi të gjitha del shpesh nga zona, duke tërhequr pas vetes qendërmbrojtësit kundërshtarë dhe duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës.
Plani i Pirlos është që të luajë me një rreshtim 4-3-3 dhe në vijën e parë të sulmit të aktivizojë treshen Ronaldo-Dzeko-Dybala, me argjentinasin e portugezin që do të nisen nga krahët, por me lejen për t’u futur shpesh në zonë dhe për të përfituar nga hapësirat që do t’u krijojë boshnjaku.
Presidenti i ri i verdhekuqve ka deklaruar se nuk do të lejojë largimin e sulmuesit boshnjak, por te Roma janë të bindur se kanë në dorë një shans të artë për të arkëtuar rreth 15 milionë euro për një 34-vjeçar, që për më tepër është më i paguari në ekip.
Pikërisht për këtë arsye, njerëzit e merkatos te Roma kanë nisur të punojnë në heshtje për të transferuar në kryeqytet sulmuesin polak Arkadiuz Milik, i cili duket i destinuar për të lënë Napolin, ku i ka mbetur vetëm një vit kontratë.
Parimisht palët kanë rënë dakord për kalimin e Milik te Roma, që do t’i japë Napolit në këmbim fantazistin turk Under dhe 15 milionë euro, para të cilat pritet të përfitohet nga shitja e Dzekos te Juventusi.