Kaçaniku proteston kundër dhunës ndaj grave
Kaçaniku sot i është bashkuar vendeve të tjera të Kosovës të cilat protestuan kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kjo protestë u organizua nga INJECT, dhe sipas organizatorëve protesta me moton “BollMa” ka për synim vetëdijesimin e qytetarëve se vrasjet dhe dhuna ndaj grave po bëhet në bashkëveprim të institucioneve të drejtësisë dhe policisë, të cilat në mënyrë sistematike e neglizhojnë kërkesën për ndihmë nga gratë.
Kërkesat e protestës janë që të shkarkohen policët në Gjakovë që ishin në detyrë ditën kur u vra gruaja me të bijën.
“BollMa dhunës institucionale strukturore e shoqërore ndaj grave, ndaj të varfërve, ndaj grupeve me të dobëta të shoqërisë. Kërkojmë drejtësi korrekte e jo selektive. Duhet të dalim në qytetarët ta kërkojmë shkarkimin e komandantit të policisë dhe policëve neglizhentë në Gjakovë, sepse institucionet nuk po e bëjnë. Jeta e vajzave tona ka vlerë. Jeta e çdo qytetari ka vlerë. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata policë”, thanë organizatorët e protestës.
Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe deputetë të Kuvendit: Saranda Bogujevci, Sami Kurteshi, Shemsi Syla, Valon Ramadani si dhe Arbër Rexhaj./Indeksonline/