Kadaj-Bujupi: Me koalicionin 100%, Kosovën do ta bëjmë edhe më të bereqetshme edhe më të bukur
Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se me koalicionin AAK-PSD, Kosova do të arrijë zhvillimin e duhur ekonomik.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, me fotografi të shumta nga aktiviteti i saj elektoral, ajo ka shkruar se programi i këtij koalicioni do ta dinamizojë ekonominë.
“Kosovën do ta bëjmë edhe të bereqetshme edhe të bukur me programin tonë qeverisës që parasheh imtësisht dinamizimin ekonomik dhe mjedisin e pastër, ndër shumë pika të tjera që nuk janë më pak të rëndësishme. Do ta zhvillojmë ekonominë duke e kthyer kokën kah sektori privat, me krijimin e lehtësirave të nevojshme fiskale dhe duke e themeluar Fondin Zhvillimor për të përkrahur bizneset e reja dhe ato që punësojnë, përmes kreditimit të favorshëm. Ata që e kanë dhe ata që do ta gjejnë një vend pune në ekonominë e re të Kosovës, do të përkrahen nga shteti që të drejtat e tyre si punëtorë të mos shkilen, të mos diskriminohen mbi baza gjinore, të prejardhejs e statusit social, por të trajtohen dinjitetshëm sipas të drejtave universale për punëtorët dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Po ashtu, Kadaj-Bujupi ka thënë se Koalicioni 100% Kosovë do të përkujdeset edhe për mbrojtjen e mjedisit me veprime konkrete.
“Do ta mbrojmë mjedisin dhe pa mëshirë dhe do t’i ndëshkojmë ata që pamëshirshëm e dëmtojnë dhe e ndotin ambientin ku jetojmë dhe shkatërrojnë bukuritë natyrore të Kosovës sonë. Me ardhjen e Qeverisë Haradinaj u kuptua rëndësia e mjedisit të mbrojtur dhe të pastër, pas shumë viteve shkatërrim e degradim. Kjo qasje do të vazhdojë me një intensifikim të veprimeve e masave, duke rritur buxhetin për këtë qëllim, duke i evidentuar burimet e ndotjes, si dhe duke bërë planifikim të qëndrueshëm hapësinor”, ka thënë ajo.
Ajo në fund ka lënë një porosi për mbështetësit e saj.
“Së bashku më 6 tetor le ta bëjmë shtetin 100%, ku secili ka të drejta dhe secili ka mundësinë e punës, edukimit dhe trajtimit të barabartë!”, ka thënë në fund ajo./Indeksonline/