75 Mall Live Search
19:37 / E Martë, 26 Dhjetor 2023 / MSH

Kadaj Bujupi në Bosnjë e Hercegovinë, realizon takime për thellim të bashkëpunimit

Me ftesë të Këshillit të Kongresit të Intelektualëve Boshnjak, Këshilltarja e Presidentes, Donika Kadaj Bujupi, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë.

Gjatë kësaj vizite, Kadaj Bujupi ka realizuar takime me përfaqësues të institucioneve më të larta të vendit, duke përfshirë kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, Qeverinë e Kantonit të Sarajevës dhe kryetarin e Kuvendit, Elvedin Okeriq.

Përgjatë kësaj vizite, Kadaj Bujupi ka takuar edhe rektorin e Universitetit Publik të Sarajevës, Rifat Skrelj, këshilltarët në kabinetin e anëtarit Beqiroviq, Mehmed Pargan e Hoda Dediq, si dhe përfaqësuesen në krye të komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë, Elvira Dushi.

Në takimet e zhvilluara, diskutimet u përqendruan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve në fushën akademike, të artit, sportit, kulturës, tregtisë dhe ekonomisë.

Fokusi i takimeve ishte eliminimi i pengesave nga regjimi i vizave dhe burokraci të tjera, të cilat mund t’i pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve të përbashkëta.

Në këtë udhëtim, Kadaj Bujupi ishte e shoqëruar nga dy anëtarë të Këshillit për Komunitetet nga radhët e boshnjakëve, Agim Ferati dhe Almedin Fejza. Takimet dhe diskutimet e zhvilluara kanë sjellë një perspektivë të re dhe të pasur për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy shteteve.