Kadiu: Bislimi nuk ka pasur takime “të fshehta”, aq më pak me Marko Gjuriqin, kurrë nuk e ka takuar
Këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë të Besnik Bislimit, Klisman Kadiu ka reaguar ndaj shkrimit se të gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ, në të cilin zbulohet se shteti Zviceran ka organizuar takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë e në të cilat takime ka marrë pjesë zv.kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.
Për këtë Kadiu derisa thotë se në procesin e dialogut Kosovë-Serbi janë të përfshirë akterë të shumtë, thekson se iniciativa të tilla për ndërmjetim mes palëve janë bërë edhe nga Zvicra, por që sipas tij nuk janë të fshehta, duke e mohuar edhe se Bislimi nuk ka pasë takim të fshehur me Marko Gjuriqin.
“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj.
Por këto takime nuk janë “të fshehta”. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime “të fshehta”, e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, shkruan ai.


