18:35 / E Hënë, 26 Tetor 2020 / Blerim

Kadri Shala erdhi në Kosovë përmes Shqipërisë

Kadri Shala, pronar i kompanisë “LDA Group”, të cilit i janë transferuar 2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

I njëjti sipas avokatit mbrojtës, Osman Hoxha, ishte vetëdorëzuar në polici rreth orës 12:45 pas kthimit nga Turqia, ku tha se klienti i tij kishte udhëtuar jashtë vendit për një kohë të shkurtër.

Derisa burime të IndeksOnline mësojnë se Shala erdhi në Kosovë përmes Shqipërisë, ku i njëjti përdori aeroportin e Stambollit, për të ateruar në Tiranë.

I akuzuari për përfitimin e 2.1milionë eurove, u intervistua në stacionin policor deri në ora 17 e 5 minuta.

Të dyshuarit, për përfshirjen në rastin e keqpërdorimit të ndodhur në Departamentin e Thesarit/Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, i është lëshuar urdhër për ndalim 48 orë.

Ndërsa, Prokuroria Speciale njofton se do të ndërmerren të gjitha veprimet përkatëse ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj./Indeksonline