Kadri Veseli ende pa kundërkandidat në PDK
Ka thuajse një muaj që nga dita kur Partia Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Ky proces është duke vazhduar dhe sipas të gjitha gjasave kryetari i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk do të ketë kundërkandidat.
Sipas nënkryetarit të PDK-së,njëherësh shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi, strukturat e PDK-së do t’i besojnë edhe një mandat të dytë Veselit.
“Tash për tash nuk ka ende kandidaturë sepse sipas rregullores së punës dhe statutit tonë kandidaturat shpallen më vonë, kështu që është herët të besohet se a do të ketë apo sa kandidatura do të jenë për kryetarë. Besoj se Kadri Veseli e ka mbështetjen e plotë të strukturave të PDK-së për të rikonfirmuar mandatin e vetë si kryetar i partisë”,ka thënë Krasniqi për Indeksonline.
Duke folur lidhur me mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve brenda PDK-së, Krasniqi ka deklaruar se i gjithë procesi pritet që të përfundojë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
“Ne zyrtarisht e kemi hap procesin në të gjitha degë te PDK-së, ka një mobilizim të shtuar të strukturave dhe të njerëzve të cilët i bashkohen PDK-së, duke marrë pjesë në këtë proces.
Shumë shpejtë presim që nëndegët e para të fillojnë me kuvendet e tyre, është një proces që besojmë se do të jetë disa muaj meqenëse se ka një shtrirje anembanë Kosovës dhe janë mbi 1 mijë nëndegë të cilat do të përfundojë procesin për të kaluar pastaj në Kuvendin e nëndegëve dhe për t’u përmbyllur në pjesën e parë të vitit të ardhshëm me Konventën Zgjedhore në nivelin qendror”, ka thënë Krasniqi.
Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë poashtu se janë shumë të inkurajuar nga dinamika e cila ka filluar e që po vazhdon edhe tani.
“Presim që do të jetë proces i rikonsulidimit të strukturave dhe zgjedhjeve të PDK-së”, ka shtuar Krasniqi.
Duke folur lidhur me zgjedhjet brenda PDK-së, Krasniqi ka komentuar edhe mundësin e zgjedhjeve nacionale.
Ai ka deklaruar se nuk është koha zgjedhjeve të përgjithshme dhe se sipas tij askush nuk është i interesuar për zgjedhje në këtë kohë.
“Secila parti serioze gjithmonë duhet me qenë e gatshme për zgjedhje, sepse Kushtetuta e parashikon në raste të jashtëzakonshme që zgjedhjet të mbahen për 45 ditë, por ne nuk besojmë se do të ketë zgjedhje sepse askush nuk është i interesuar për zgjedhje. Kushdo që sot kërkon zgjedhje të parakohshme, nuk e ka seriozisht. Pra as në opozitë por as ndonjë parti tjetër e vogël. Pra për momentin zgjedhjet nuk janë temë, tema për momentin është mbarëvajtja e punës së institucioneve dhe realizimi i detyrave që i kemi secili në pozitat e veta”, ka përfunduar Krasniqi./Indeksonline/