19:32 / E Enjte, 08 Mars 2018 / indeksADMonline

Kadri Veseli thotë se kështu mund të ndalet PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sonte ka takuar strukturat e Gruas Demokratike, për të filluar kështu zgjedhjet edhe në këtë forum partiak.

Duke shpalosur platformën e PDK-së për Dekadën e Re, Veseli tha se zhvillimi ekonomik i vendit, integrimi euro-atlantik si dhe besimi në shtetin e Kosovës, nuk mund të ndodhin pa rolin aktiv të grave.

“Pjesëmarrja e grave është kusht i domosdoshëm që të kemi shtet funksional demokratik, ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie për qytetarët tanë”, tha Veseli.

Ai potencoi se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe as integrim, nëse gjysma e popullsisë nuk është e përfshirë në jetën publike dhe ekonomike të shoqërisë.

“Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë dhe mbetet, subjekti kryesor që garanton ecjen përpara të vendit. Kur ndalet Partia Demokratike e Kosovës, ndalet Kosova. Prandaj, nuk guxojmë të ndalemi. Nuk guxojmë të lodhemi. E kemi obligim dhe detyrën më të shenjtë patriotike që ta çojmë përpara atdheun tonë, shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli./Indeksonline/