75 Mall Live Search
13:00 / E Enjte, 28 Gusht 2025 / F.R

Kadrijaj tregon arsyet pse është përjashtuar Adem Hoxha

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka treguar arsyet për përjashtimin nga Grupi Parlamentar të deputetit nga komuniteti goran, Adem Hoxha.

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit edhe në përpjekjen e sotme, deputetja Kadrijaj tha se Hoxha nuk ka qenë pjesë e grupit të tyre parlamentar, mirëpo vetëm është afruar me ta, pasi grupet parlamentare formohen vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

“Ne kemi pasur qëndrim të votojmë kundër, kurse Adem Hoxha ka votuar për. Në fakt ne nuk jemi krijuar ende si grup parlamentar, pasi ato krijohen pas konstituimit të Kuvendit, ai është afruar te ne. Mirëpo ne i kemi bërë të qartë se nuk mund të jetë pjesë e jona nëse nuk voton sipas qëndrimeve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ajo.

Pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Kadrijaj tha se nuk do të votojnë pro, as për deputetin nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

“Nuk do të votojmë. E patë qëndrimin tonë se nuk do të votojmë, sa i përket kandidaturave të Listës Serbe kemi vazhduar të votojmë kundër, kurse për Rashiqin s’kam votuar fare. Le t’i siguron Lëvizja Vetëvendosje. A është bërë një shkelje e Kushtetutës, është bërë, por le të sqarohen ata. Ne nuk kemi ndonjë obligim, pasi ne nuk kemi të drejtën e propozimit të ndonjë nënkryetari”, tha ajo.

Rashiq dështoi të zgjedhet për herë të dytë si nënkryetar i Kuvendit. Paraprakisht dështuan të zgjedhen nënkryetar edhe disa deputetë të Listës Serbe, të cilët u zgjodhën përmes shortit si kandidat për nënkryetar të Kuvendit.