Kadyrov i përgjigjet ashpër Musk pasi e sfidoi në duel Putinin

Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov ka mbrojtur presidentin rus, Vladimir Putin, i cili u sfidua nga miliarderi amerikan, Elon Musk.
Musk ka sfiduar Putin, në dyluftim, për të “fituar” Ukrainën. Në një postim të çuditshëm në Twitter, Musk shkroi: “Me anë të këtij mesazhi sfidoj Vladimir Putin në dyluftim. Fituesi merr Ukrainën!”.
Kadyrov, i ka këshilluar Elon Muskut të mos “kapet” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
“Elon Musk, nuk do të të këshilloja të kapesh me Putinin. Ju jeni kategori të ndryshme. Nuk është as çështje e arteve marciale apo p.sh. xhudo. Si e imagjinon këtë? Ti je në cepin e kuq të ringut, një biznesmen dhe një bloger në Twitter, Putini është në cepin blu – një politikan botëror, strateg, kërcënim për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara. Vladimir Vladimirovich nuk do të duket si një atlet nëse mund një kundërshtar më të dobët. Kjo është arsyeja pse ju duhet të përforconi veten për t’u bërë një Elon brutal nga një Elon i butë. Unë ju propozoj të stërviteni në disa qendra në Republikën Çeçene”, ka shkruar Kadyrov në Telegram.
Themeluesi i SpaceX dhe Tesla ka shprehur disa herë mbështetjen për Ukrainën. Sipas tij, sistemi i komunikimit Starlink, është i vetmi sistem jorus që punon ende në disa zona të Ukrainës që prej pushtimit nga Rusia më 24 shkurt./Indeksonline/