09:14 / E Premte, 15 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Kaliforni, bashkëmoshatari vret 2 shokë dhe plagos 3 të tjerë, në shkollë

Dy nxënës kanë mbetur të vrarë dhe tre të plagosur nga një sulm me armë nga bashkëmoshatari në një shkollë të mesme, në Kaliforni.

Pasi qëlloi mbi shokët e shkollës, sulmuesi 16- vjeçar plagosi veten, pikërisht në datën e tij të lindjes. Viktimat e sulmit tragjik janë një vajzë 16- vjeçare dhe një djalë 14- vjeçar.

Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur 4 nxënës, midis tyre dhe sulmuesi. Policia arriti ta identifikonte atentatorin pasi mbërriti në spital.

Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet e mbyllën shkollën dhe institucionet e tjera arsimore aty pranë.

Sulmi ndaj nxënësve të gjimnazit Saugus në Santa Clarita në veri të Los Angelesit ndodhi vetëm pak minuta para fillimit të procesit mësimor.

Pamjet e para televizive treguan zyrtarë policorë në vendin e ngjarjes dhe të plagosurit që largoheshin me autoambulanca. Nxënësja Malena Peters tregon se si i shpëtoi sulmit.

“Erdha me vonesë në shkollë së bashku me mamanë time dhe rrugës pamë fëmijë që po vraponin e bërtisnin apo dhe prindër të tjerë që u kthyen mbrapsht. Aty e mësuam se çfarë kishte ndodhur për një sulmues aktiv në kampus” , tregon nxënësja Malena Peters.

Oficerët vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë dhe motivet e ngjarjes, ndërsa të gjithë shkollat dhe banesat e zonës u mbyllën për arsye sigurie.