Kallas: Plani i BE-së për mbrojtje nga dronët plotëson NATO-n dhe forcon mbrojtjen e Evropës

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas tha të mërkurën se iniciativa e re e bllokut për mbrojtje nga dronët do të funksionojë në bashkëpunim me NATO-n për të rritur mbrojtjen e Evropës kundër kërcënimeve ajrore, duke theksuar se “dronët mund të vijnë nga kudo”.
“Planet ushtarake vijnë nga NATO, kjo është shumë e qartë. Por, prokurimi duhet të bëhet nga shtetet anëtare”, u tha Kallas gazetarëve përpara Këshillit të Punëve të Jashtme për mbrojtjen. Ajo tha se roli i BE-së është të “ndihmojë shtetet anëtare të bëjnë prokurime të përbashkëta, projekte kryesore, në mënyrë që në fakt të ndihmojë shtetet anëtare të përmbushin objektivat e tyre të aftësive”.
Ajo tha se plani ka evoluar nga një koncept rajonal i “mureve të dronëve” në një strategji mbarë-evropiane, pasi vendet e tjera njohën dobësitë e përbashkëta, përfshirë ato nga deti dhe jugu.
“Në fakt po flasim për të gjithë Evropën kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga dronët”, tha Kallas.
Kryediplomatja e BE-së tha se bashkëpunimi evropian me industrinë e mbrojtjes të Ukrainës mund të “ulë kostot e prokurimit, kohën e prokurimit”, duke vënë në dukje se inovacioni i fushëbetejës së Kievit ofron mësime të vlefshme për planet më të gjera të gatishmërisë mbrojtëse të Evropës.
E pyetur për përfshirjen e mundshme të BE-së në Gaza, Kallas tha se blloku mund të kontribuojë përmes misioneve të tij ekzistuese në vend të vendosjeve të reja ushtarake. Ajo tha se këto misione janë Misioni i Ndihmës Kufitare të BE-së në Rafah, i cili është rihapur dhe Misioni Policor i BE-së që mbështet trajnimin për policinë palestineze. Mandatet e të dy misioneve, shtoi ajo, mund të zgjerohen “nëse është e nevojshme”.
“Deri më tani, nuk kemi paraqitur plan konkret për të patur mision të veçantë ushtarak. Varet nga shtetet anëtare”, pohoi Kallas.