75 Mall Live Search
12:44 / E Shtunë, 03 Janar 2026 / F.R

Kallas reagon pas sulmit amerikan në Venezuelë: BE-ja po e monitoron situatën nga afër

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka reaguar pas sulmit të ShBA-së në Venezuelë.

Përmes një postimi në X, Kallas ka bërë të ditur se ka biseduar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se Bashkimi Evropian po e monitoron nga afër situatën në vend.

“Kam folur me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Ambasadorin tonë në Karakas. BE-ja po e monitoron nga afër situatën në Venezuelë”, ka shkruar ajo.

Kryediplomatja ka rikujtuar se Bashkimi Evropian ka deklaruar vazhdimisht se zotit Maduro i mungon legjitimiteti dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor në vend.

“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se zotit Maduro i mungon legjitimiteti dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor. Në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, ka shtuar Kallas.

Ajo gjithashtu ka theksuar se siguria e qytetarëve të BE-së në Venezuelë mbetet përparësia kryesore e Bashkimit Evropian.

“Siguria e qytetarëve të BE-së në vend është përparësia jonë kryesore”, ka përfunduar Kallas.