Kallëzim në Prokurorinë Speciale, ministri Murati denoncohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Komuna e Prishtinës ka deponuar kallëzim penal kundër ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati për mosalokim të fondeve të kryeqytetit.
Kallëzimi përfshin edhe tre zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Financave: Sekretarin e Përgjithshëm, Arton Ahmeti, drejtorit të Departamentit për Buxhet, Salvador Elezi dhe u.d. të drejtorit të Thesarit, Nysret Koca.
Sipas kallëzuesit, katër zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të kompetencave, për shkak të bllokimit të 35 milionë eurove të dedikuara për Komunën e Prishtinës.
“Personat e kallëzuar në cilësi të personave zyrtar përkatësisht si titulluar të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ligjore dhe legjislacionin ne fuqi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i shkaktojë dëm institucionit publik Komunës së Prishtinës duke mos bërë alokimin e mjeteve financiare për Komunën e Prishtinës në këtë mënyrë kundërligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me interesin publik të qytetarëve të Kryeqytetit kanë bllokuar projektet e investimeve kapitale, subvencionet dhe mallrat dhe shërbimet, duke rrezikuar edhe shërbimet shëndetësore, shujtat e fëmijëve në institucione parashkollore dhe në mësim tërë ditorë si dhe dem financiar për shkak të tarifave të mijëra lëndëve të dërguara në përmbarim”, thuhet në kallëzim.

Në kallëzim penal thuhet se buxheti i Komunës së Prishtinës është i përcaktuar me ligjet në fuqi.
“Ky buxhet edhe pse i përcaktuar me ligj, nuk është në dispozicion të Komunës së Prishtinës, rrjedhimisht rreth 35 milionë Euro, në kategorinë e Investimve Kapitale nuk iu kanë alokuar fare Komunës së Prishtinës”, sipas kallëzimit.
Mosalokimi i fondeve ka “penguar zbatimin e projekteve kapitale, shërbimeve shëndetësore, subvencioneve për fermerët” dhe disa aktivitete të tjera, bazuar në kallëzim.
“Këto veprime kanë cenuar autonominë financiare të komunës, kanë penguar përfitimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve nga shërbimet publike dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik, social dhe publik, duke përmbushur elementët e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar”, vijon kallëzimi.
Ministri Murati tha të enjten se zhbllokimi i buxhetit të Prishtinës bëhet përmes votimit të tij në Kuvendin e Kosovës. Ai i dërgoi porosi kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që t’u bëjë thirrje deputetëve të LDK-së të votojnë buxhetin e kryeqytetit në Kuvend.

