Kallëzim penal për përndjekje online 3-vjeçare: “Ngacmimi obsesiv nga Mentor Llugaliu – ka shkelur kufijtë e tolerueshëm”, thotë juristja!

Juristja e njohur për media dhe aktiviste për lirinë e shprehjes, Flutura Kusari, ka njoftuar se ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj Mentor Llugaliut, të cilin e akuzon për ngacmim të vazhdueshëm dhe obsesiv online që ka zgjatur për më shumë se tre vite.
Sipas Kusarit, Llugaliu – një mbështetës i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje – ka publikuar të paktën 101 postime në Facebook të cilat përmbajnë përmbajtje denigruese, kërcënuese dhe seksiste ndaj saj, duke gjeneruar mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe mbi 2,200 komente. Kjo fushatë virtuale, sipas saj, ka ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin emocional të saj dhe të familjes së saj.
“Ngacmimi i tij ka qenë i qëllimshëm, i organizuar dhe hakmarrës, pas angazhimit tim në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së, ku ai ka dështuar të zgjidhet”, shkruan Kusari në deklaratën e saj publike.
Kusari thekson se për një kohë të gjatë ka hezituar të ndërmarrë hapa ligjorë për shkak të natyrës së re të veprës penale të ngacmimit në Kodin Penal dhe për shkak të frikës nga përshkallëzimi i ngacmimeve. Por vendimi i Llugaliut për të përfshirë në këtë fushatë edhe nënën dhe bashkëshortin e saj, e ka detyruar të ndërmarrë veprime ligjore.
Ajo shton se profili i të pandehurit është i mbushur me sulme ndaj grave të tjera publike, duke krijuar një ambient toksik dhe duke tentuar të dekurajojë pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.
Kallëzimi penal është përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), ndërsa përfaqësimin ligjor të Kusarit e mban avokatja Albulena Ukimeri.
Lidhur me këtë rast, 13 organizata ndërkombëtare për lirinë e medias kanë publikuar një letër mbështetëse, duke kërkuar nga autoritetet e Kosovës të ndërmarrin masa të menjëhershme për të mbrojtur të drejtat e Kusarit dhe për të ndalur përndjekjen sistematike të grave në jetën publike.