75 Mall Live Search
14:00 / E Mërkurë, 19 Nëntor 2025 / H F

‘Kam dështuar si shembull’, Adeyemi reagon pas gjobës gjysmëmilionëshe

Futbollisti i Borussia Dortmund dhe partneri i reperes Loredana, Karim Adeyemi, ka vendosur të flasë për herë të parë pas lajmeve që kanë pushtuar mediat gjermane ditët e fundit. Pas raportimeve se ai ishte gjobitur me një shumë prej rreth 450 mijë eurosh, Adeyemi ka shpërndarë një reagim publik në Instagram për të sqaruar situatën.

Pikërisht një “Mystery Box” ka qenë shkaku i të gjitha telasheve ligjore. Përmes një ‘Instastory’, futbollisti ka treguar se gjithçka filloi nga një pakujdesi në fillim të vitit 2024. Ai tregon se kishte porositur online një të ashtuquajtur “Mystery Box” në “Darknet”, pa u menduar shumë për pasojat.

“Në fillim të vitit 2024, nga pakujdesia dhe pa u menduar mirë, porosita një ‘Mystery Box’ në internet. Brenda saj kishte objekte që sipas ligjit për armët nuk lejohen,” – shkruan Adeyemi.

Ai shpjegon më tej se pakoja mbërriti shumë muaj më vonë dhe, krejt rastësisht, përfundoi e pahapur në duart e policisë.

Futbollisti nuk ka fshehur pendimin e tij për këtë situatë dhe e pranon se ka qenë një gabim i madh, me pasoja të shtrenjta si financiarisht, ashtu edhe moralisht.

“Ishte një gabim i madh. Një gabim për të cilin më vjen shumë keq, që më ka kushtuar shumë dhe për të cilin pendohem thellësisht,” – shprehet ai.

Ai gjithashtu ka folur për përgjegjësinë që ka si figurë publike:

“E di që jam në vëmendjen e publikut dhe kam një funksion si shembull. Në këtë rast, nuk e kam përmbushur atë. Pikërisht për këtë më dhemb edhe më shumë që kam vepruar me kaq pakujdesi.”

Në përfundim, partneri i Loredanës ka theksuar se ka mësuar nga ky gabim dhe premton se situata të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen, duke falënderuar të gjithë ata që vazhdojnë ta mbështesin.