“Kam fjetur 40 netë në një hotel afër aeroportit”, Antony i tregon makthet tek Manchester Unitedi

Ish-ylli i Manchester United, Antony, ka treguar periudhën e vështirë që kaloi përpara largimit nga “Old Trafford”, duke zbuluar se qëndroi mbi 40 ditë në një hotel pranë aeroportit në pritje të finalizimit të transferimit të tij.
Braziliani 25-vjeçar u bashkua me Real Betis për 22 milionë paund këtë verë, pas një huazimi të suksesshëm sezonin e kaluar.
Por Antony thotë se trajtimi i tij nga United ishte “mungesë respekti”, pasi u detyrua të stërvitej veçmas dhe të ndante hotelin me lojtarë të tjerë të përjashtuar nga trajneri Ruben Amorim.
“Ishte një periudhë shumë e vështirë në Angli. Më shumë se 40 ditë në hotel, duke u stërvitur vetëm… Më dukej sikur më mungoi respektin. Por nuk dua të krijoj polemika, kjo është jeta. Jam mirënjohës për klubin, fitova edhe dy trofe, por kishte edhe kohë të këqija,” – tha ai për El Desmarque.
Antony nuk i mbajti dot lotët gjatë prezantimit si lojtar i Betis, duke e quajtur rikthimin e tij “zgjedhje të zemrës”.
“Këtu është atmosfera më e mirë që kam përjetuar ndonjëherë. Të gjithë janë të buzëqeshur, të bashkuar. Shikoj gjithmonë lumturinë në radhë të parë dhe këtu unë dhe familja ime jemi shumë të lumtur. Para se të vendosja, fola me ta dhe e dija që Betis ishte shtëpia e duhur,” – shtoi ai.
Braziliani ka shënuar që në debutimin e tij në Europa League ndaj Nottingham Forest dhe shpreson ta ndihmojë ekipin të luftojë për trofe këtë sezon, pas zhgënjimit në finalen e Conference League kundër Chelseat.