“Kam qajt si fëmija”, banori i Qungurit rrëfen për aksidentin me fatalitet në Pejë

Në afërsi të fshatit Qungur të Pejës, pasditen e sotme ka ndodhur një aksident me fatalitet. Për KosovaPress ka folur një banor i këtij fshati, shtëpia e të cilit ndodhet pranë rrugës ku mbeti i vdekur një person. Ky aksident ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Mustafë Gjonbalaj”.
“Kam qajt si fëmija” thotë 73-vjeçari Ukë Noshaj, i cili shton se ka mbetur i tronditur nga kërsima që ka dëgjuar.
“E kam dëgjuar një krismë ka kërsit bamë, unë kam menduar se ka hyrë ndonjë veturë këndej, po nuk ishte veturë por ishte e tmerrueshme…kur jam dalë këtu i kam parë dy persona këtu që tash e kanë larë gjakun, atëherë unë nuk kam mundur të qëndrojë këtu se mu mbushën menjëherë sytë lot… e dhimbshme me u pa, mjerim. Më ka ardh gjynah si me qenë djali jem. Por, atëherë unë mujta hyra brenda dhe i tregova shoqes qishtu qishtu se nuk po mundem me pa, i thash nuk kam zemër edhe kom qajt si fëmija”, rrëfen ai.
Mes emocioneve, banori i këtij fshati thotë se ka dëgjuar edhe thirrjet për ndihmë.
“Motorri ka hyrë te ai qoshi aty, atëherë ata dytë kanë qenë këtu, njëri bërtitke ‘o ndihmë, o ndihmë’, atëherë shoferi që ka qenë duke e ngasur veturën ka thënë o ndihmë me më dhënë me i thirr policinë edhe me i thirr këta”, shprehet ai.
Kandidati për kryetar të Pejës nga Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se jetën ka humbur i riu Eldion Kelmendi. Eldion Kelmendi është vëllai i këngëtarit të njohur, Gjesti.