16:52 / E Hënë, 28 Nëntor 2022 / LB

‘’Kam të thyer një brinjë’’, këngëtarja kosovare rrëfen aksidentin e rëndë që pësoi në Tiranë

Vjollca Haxhiu ka bërë një rrëfim tronditës për një ngjarje që i ka ndodhur disa javë më parë në Tiranë.

Këngëtarja e njohur u aksidentua teksa po ecte në vijat e bardha bashkë me mikeshën e saj, Nera Fejzullahu, bashkëshortjen e Sabri Fejzullahut.

E ftuar në Prive, Haxhiu ka treguar se tani ende po rikuperohet duke zbuluar edhe pasojat e aksidentit.

“Unë jam një shofere e mirë, faleminderit Zotit nuk kam patur aksidente me makinë, por më ndodhi sa isha në këmbë, isha në Tiranë tre ditë para xhirimeve, unë isha e koncentruar në projektin, dhe isha duke ecur rrugëve në vija të bardha, makinat ishin ndalur ndërsa vjen një motoçikleta dhe direkt e në mua, unë kam shpëtuar por ka mundur të jetë më e tmerrshme, mu ka thyer një brinjë dhe këmbën e kam pak të lënduar, më duhet të qëndroj në regjim shtrati, shoferit ia fala, për momentin e kam një brinjë të thyer por me kohë rikuperohet vetë. Jam e lumtur që ka kaluar ky moment, projektin e finalizova përkundër aksidentit”, është shprehur këngëtarja.

Tutje Vjollca tha se Nera edhe pse nuk ishte e përfshirë në aksident e ka përjetuar rëndë gjithë ngjarjen duke qenë dëshmitare.