Kamala Harris do të japë intervistën e saj të parë në CNN si kandidate presidenciale

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, do të japë nesër intervistën e saj të parë si kandidate presidenciale që nga fillimi i fushatës pak më shumë se një muaj më parë për CNN-in, njoftoi ky televizion mbrëmë.
Ajo do t’u përgjigjet pyetjeve të CNN-it së bashku me kandidatin e saj, guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, me të cilin do të bëjë fushatë në shtetin jugor të Xhorxhias, një nga shtetet e luhatshme për zgjedhjet e 5 nëntorit.
“Intervista me gazetaren Dana Bash do të transmetohet në orën 21:00 me orën lokale (03:00 të premten CET)”, njoftoi CNN-i.
Kandidati demokrat për president ishte nën presion të madh për të dhënë një intervistë për një shtëpi të madhe mediatike amerikane. Ajo deri tani është kufizuar në deklarata shumë të shkurtra për gazetarët pas paraqitjeve të fushatës.
Pas intervistës në CNN, ajo është planifikuar të ketë një debat të shumëpritur me kandidatin republikan presidencial Donald Trump, më 10 shtator.
Kjo sinjalizon se kjo fushatë e pazakontë presidenciale po hyn në fazën e dytë, dhjetë javë nga zgjedhjet dhe pas Konventës euforike të Demokratëve të javës së kaluar në Çikago.
Harrisi, e cila hyri në fushatë pas tërheqjes së presidentit Joe Biden më 21 korrik nga gara për një mandat të dytë, që atëherë është përmirësuar dukshëm në sondazhe, por gara midis saj dhe Trumpit është ende shumë afër, shkruan France Press.
Donald Trumpi po kërkon një nxitje të re, duke u përpjekur të fitojë vota jashtë bazës së tij të zakonshme, e cila është shumë e qëndrueshme dhe akoma më e “egër” që nga atentati ndaj tij, më 13 korrik.