75 Mall Live Search
16:18 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / BA

Kamala Harris: Jam këtu dhe mund të kandidoj sërish për presidente

Ish-nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të kandidojë sërish për presidencën.

“Nuk kam mbaruar ende,” tha Harris në një intervistë për BBC të shtunën, duke shtuar se është “e mundur” që një ditë të bëhet president, një nga shenjat më të qarta deri më tani se po shqyrton mundësinë për t’u rikthyer në garën për Shtëpinë e Bardhë për herë të tretë.

“E gjithë jeta ime ka qenë e përkushtuar ndaj shërbimit publik, dhe kjo është diçka që e kam thellë brenda vetes,” u shpreh ajo.
Harris humbi zgjedhjet e vitit 2024 ndaj Donald Trump, pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara vetëm 107 ditë para zgjedhjeve.

Në librin e saj mbi fushatën zgjedhore, me titull “107 Ditë”, ajo kishte lënë të kuptohej se nuk kishte ndërmend të kandidonte për ndonjë post të lartë në një të ardhme të afërt, duke theksuar se ndryshimi i sistemit “nga brenda është i pamundur”.

“Nuk do të qëndroj më në Uashington, në zyrat madhështore të ceremonive. Do të jem me njerëzit, në qytete dhe komunitete, për të dëgjuar idetë e tyre mbi mënyrën si mund të rindërtojmë besimin, ndjeshmërinë dhe një qeveri që i përmbahet idealeve të këtij vendi,” kishte shkruar ajo.
Megjithatë, në intervistën e fundit për BBC, Harris u shpreh se mbesat e saj do të shohin patjetër një grua presidente “gjatë jetës së tyre”, dhe kur u pyet nëse ajo mund të ishte ajo grua, u përgjigj: “Mundësisht, po.”

Duke komentuar sondazhet që e rendisin si kandidate të jashtme në zgjedhjet paraprake të mundshme të Partisë Demokratike, Harris tha: “Ka shumë sondazhe që tregojnë çdo lloj rezultati. Nuk i kam marrë kurrë seriozisht sondazhet.” Dhe shtoi me ironi: “Nëse do i besoja atyre, sigurisht që nuk do të isha këtu sot.”

Në korrik, Harris kishte përjashtuar mundësinë për të kandiduar për guvernatore të Kalifornisë në vitin 2026, për të zëvendësuar Gavin Newsom, duke deklaruar: “Pas një reflektimi të thellë, vendosa të mos garoj për postin e Guvernatores në zgjedhjet e ardhshme.”