75 Mall Live Search
11:10 / E Premte, 24 Tetor 2025 / Z S

Kamberi në SHBA: Standardet për serbët në Kosovë të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi

Një delegacion i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të udhëhequr nga deputeti Shaip Kamberi, kanë zhvilluar një takim me kongresistin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata thanë se biseduan gjerësisht “për gjendjen reale në Luginën e Preshevës, përtej narrativave zyrtare të Beogradit” dhe treguan se po kërkojnë barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë”.

Postimi i plotë:

Takim me kongresistin Keith Self

Sot në Dallas zhvilluam drekë pune në një takim të hapur e shumë përmbajtjesor me kongresistin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Biseduam gjerësisht për gjendjen reale në Luginën e Preshevës, përtej narrativave zyrtare të Beogradit.

Hapur folëm pozitën e vështirë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Militarizimin e zonës e moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, që nga marrëveshjen kornizë e vitit 2001. Pasivizimin e adresave, që po përdoret si mjet administrativ për fshirjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë, si edhe diskriminimin dhe margjinalizimin sistematik në institucione publike, arsim dhe punësim.

Në takim kërkova edhe mundësinë e angazhimi më intensiv të Shteteve të Bashkuara në Luginën e Preshevës, përmes mbështetjes institucionale, monitorimit të situatës dhe përfshirjes më të drejtpërdrejtë në çështjet e të drejtave të njeriut.

Theksova se Lugina e Preshevës kërkon barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë duhet të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi.

Falënderim për kongresistin Self për hapjen, mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të dëgjuar zërin e shqiptarëve të Luginës…

Avokimi ynë për drejtësi dhe qytetari të barabartë vazhdon, me partnerët tanë amerikanë që ndajnë të njëjtat vlera demokratike.