75 Mall Live Search
13:16 / E Hënë, 15 Shkurt 2021 / OSH

Kamberi, uron Kurtin dhe Osmanin duke ua kujtuar shqiptarët e Luginës

Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit të arritura në vend.

“Uroj Lëvizjen Vetëvendosje!, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, për fitoren e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit në Republikën e Kosovës. Shpreh po ashtu mirënjohjen time për partitë e tjera politike garuese në këto zgjedhje, përkatësisht për qëndrimet e tyre të matura politike, lidhur me rezultatin preliminar zgjedhor”, është shprehur Kamberi.

Ai ka thënë se për Luginën e Preshevës në veçanti dhe për shqiptarët në Serbi në përgjithësi, mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme, që institucionet e Republikës së Kosovës të jenë funksionale dhe demokratike.

“Në cilësinë e Shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak” dhe të kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, shpreh përkushtimin tim të plotë, për të bashkëpunuar me institucionet e reja legjislative, ekzekutive dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që do të dalin nga zgjedhjet e 14 shkurtit”.

“Aq më tepër duke pasur parasysh se Republika e Kosovës mbetet shembull i veçantë pozitiv në rajon, lidhur me të drejtat ligjore dhe kushtetuese që garanton për pjesëtarët e minoriteteve. Shembull që shpërfaq po ashtu asimetrinë dhe mosharmonizimin e të drejtave të minoriteteve me Republikën e Serbisë në veçanti, por edhe me shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor”.

“Andaj edhe mbetet jetik hartimi e zbatimi i një plani dhe programi shtetëror të Republikës së Kosovës, në bashkërendim me të zgjedhurit e Luginës së Preshevës, në funksion të përmirësimit të gjendjes politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore, sociale dhe kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në kushte të shtypjes dhe të diskriminimit të tyre, nga ana e aparatit shtetëror të Republikës së Serbisë”.