Kamboxhia do ta nominojë Trumpin për çmimin “Nobel” për paqe për ndaljen e konfliktit me Tajlandën

Kamboxhia do ta nominojë presidentin amerikan, Donald Trump, për çmimin “Nobel” për paqe, tha të premten zëvendëskryeministri i shtetit të Azisë Juglindore.
Ky nominim vjen pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të kreut të Shtëpisë së Bardhë në ndaljen e konfliktit kufitar që shpërtheu para disa ditëve mes Kamboxhias dhe Tajlandës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kur iu kërkua përmes një mesazhi me shkrim që ta konfirmonte planin e Kamboxhias për ta nominuar Trumpin për çmimin e famshëm, zëvendëskryeminsitri i Kamboxhias, Sun Chanthol, u përgjigj: “Po.”
Në konfliktin kufitar mes dy vendeve fqinje para disa ditëve u vranë dhjetëra njerëz. Të dyja palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve.
Pas luftimeve që zgjatën pesë ditë, Kamboxhia dhe Tajlanda arritën një marrëveshje armëpushimi që hyri në fuqi në fillim të kësaj jave. Marrëveshja u nënshkrua në Malajzi.
Pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, Malajzisë dhe Kinës për t’i ulur palët në tavolinën e bisedimeve, udhëheqësit e dy vendeve u pajtuan që t’u jepnin fund armiqësive, ta rifillonin komunikimin e drejtpërdrejtë dhe të ndërtonin një mekanizëm për zbatimin e armëpushimit.
Presidenti amerikan në javët e fundit disa herë ka pretenduar se ka ndalur konflikte të ndryshme në botë, përfshirë një mes Kosovës e Serbisë.
Sidoqoftë, ai ende nuk ka arritur që t’i përmbushë premtimet për përfundimin e luftërave në Ukrainë dhe në Gaza.
Gjatë fushatës zgjedhore, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte premtuar se do t’i jepte fund luftës mes Rusisë e Ukrainës “në ditën e parë” në pushtet./Indeksonline/