75 Mall Live Search
12:40 / E Enjte, 18 Qershor 2020 / indeksADMonline

Kamionët me peshë të rëndë, shqetësim për banorët e një rruge në Çagllavicë

Qytetarët në rrugën “Anton Santori” në Çagllavicë tash e sa kohë ankohen se në këtë rrugë po kalojnë mjete të tonazhit të rëndë, duke i shqetësuar si dhe duke rrezikuar dëmtimin e këtij aksi.

Sipas njërit prej banorëve të kësaj rruge, Butrint Sadriaj, tha se çdo ditë nga mëngjesi deri në orët e pasdites kalojnë kamionë.

“Në rrugën tonë kalojnë çdo ditë nga ora 6:00 e mëngjesit deri në ora 17:00 kamionë mbi 50 tonë dhe me qindra kalojnë në ditë, së pari jemi të rrezikuar në banorët dhe e dyta rruga që është punuar para 4 vjetëve nga Kuvendi Komunal Prishtinë ka filluar të shkatërrohet”, tha ai.

Sadriaj, gjithashtu ka dërguar një video dhe disa foto si dëshmi për atë se çfarë ndodhë çdo ditë në këtë rrugë.

Sipas tij, ekziston një rrugë tjetër alternative ku mund të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë, por që nuk e di pse nuk e shfrytëzojnë drejtuesit e këtyre kamionëve të cilët po punojnë për disa ndërtime në një lagje ngjitur.

Ai tha se tashmë i janë drejtuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës që të vendosin shenjën që ndalon kalimin e mjeteve me mbi 7.5 tonë në këtë rrugë.

“Ne banorët kemi bërë një peticion dhe e kam dorëzuar në Shërbime Publike për vendosjen e shenjës 7.5t por ajo nuk është vendosur ende, pra jemi në pritje”, vijoi ai. Ky qytetar tha se nëse nuk merren masa do të dalin të protestojnë duke bllokuar rrugën.