Kampioni i Botës me Gjermaninë pensionohet në moshën 31 vjeçare

Erik Durm tërhiqet nga futbolli aktiv në moshën 31-vjeçare. Tifozët gjermanë e mbajnë mend mirë, pasi anësori i djathtë ishte pjesë e ekipit kombëtar që fitoi Kupën e Botës në Brazil 2014.
Durm luante me Kaiserslautern në Bundesliga 2 prej verës së vitit 2022, ndërkohë që më parë është aktivizuar me skuadra si Borussia Dortmund, Mainz dhe Eintracht Frankfurt.
Ndërkohë që sezonin 2018/2019 e kaloi në Premier League te Huddersfield. Durm zhvilloi 7 ndeshje në total me kombëtaren e Gjermanisë. Me Dortmundin fitoi një Kupë dhe dy Superkupa Gjermanie. Me Eintrachtin fitoi Europa League.
“U transferova në klubin që dua një vit e gjysmë më parë me synimin për të përfunduar karrierën time këtu pas një periudhe suksesesh.
Fatkeqësisht, që nga vera e kaluar më është dashur të luftoj vazhdimisht me dëmtime të lehta dhe probleme shëndetësore”, u shpreh Durm në lidhje me vendimin e mbylljes së karrierës si futbollist profesionist.