11:34 / E Hënë, 18 Mars 2019 / indeksADMonline

Kanadaja do zgjerojë misionin e saj ushtarak në Ukrainë

Institucionet kanadeze këtë të hënë do të njoftojë për shtrirjen e një misioni ushtarak prej 200 personash në Ukrainë, transmeton Indeksonline.

Ministri i Jashtëm, Chrystia Freeland, dhe Ministri i Mbrojtjes, Harjit Sajjan, kanë planifikuar që të mbajnë një konferencë shtypi në ora 18:00 sipas kohës lokale.

Një zëdhënëse e ministrit të Mbrojtjes nuk pranoi të komentojë, ndërsa përfaqësuesi i ministrit të Jashtëm nuk i është përgjigjur kërkesave për të marrë ndonjë koment nga ai.

Trupat, të cilët së pari shkuan në Ukrainë në vitin 2015, do të dalin në fund të marsit. Burime politike dhe ushtarake kishin bërë të qartë se ushtarët do të qëndronin më gjatë, duke marrë parasysh tensionet e vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes e Kanadasë tha në dhjetor se kontigjenti kishte trajnuar më shumë se 10,000 anëtarë të forcave të sigurisë ukrainase.

Kontigjenti kanadez është në Ukrainën perëndimore, larg nga përplasjet midis ushtarëve ukrainas dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit.

Freeland, një kritik i zëshëm i masës së Rusisë për të aneksuar Krimenë në fillim të vitit 2014, tha në një deklaratë të shtunën se “ne vazhdojmë ta dënojmë këtë shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në terma më të fortë”.

Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të premten vendosën sanksione të reja për një numër të zyrtarëve rusë për të ndëshkuar Moskën për sulmin e vitit 2018 në tre anije të Ukrainës dhe konfiskimin e Krimesë, e cila kishte qenë pjesë e Ukrainës.

Trupat kanadezë janë në Ukrainë si pjesë e një misioni më të madh që përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Lituaninë, Poloninë dhe Suedinë. /Indeksonline/