75 Mall Live Search
10:06 / E Martë, 10 Gusht 2021 / OSH

Kanal 10 shënon sot 1-vjetorin e themelimit

Televizioni Kanal10 shënon sot 1-vjetorin e themelimit.

Televizioni i gazetarëve nisi punën më 10 gusht të vitit të kaluar, duke plotësuar e sjell përmbajtje të re në skenën mediale në Kosovë.

Për gjatë këtij viti, televizioni ka shënuar suksese të jashtëzakonshme, duke arritur që të sjell për shikuesit informacionet e fundit në kohë reale dhe që të jetë promotor i debatit.

Kanal10 në fokus ka edhe raportimin përmes gazetarisë qytetare, që fillon në emisionin e mëngjesit me Arben Ahmetin, për të vazhduar me emisionet e tjera të drejtpërdrejta, 10live dhe Info10.

Televizioni është arenë e debatit me emisionet “Prime Time” dhe “Politiko”. 

Drejtori i Përgjithshëm i Kanal10, Arben Ahmeti, ka thënë se Kanal10 ka arritur që për një 1 vit të jetë medie e fuqishme dhe kredibile.

“Filluam me pak ambicie, në një përpjekje solide për të ndërtuar një media modeste që bënë shumë zhurmë për të vërtetën dhe qëndron larg nga interesat e ditës. Sot jemi një staf prej 90 profesionistësh duke u rritur çdo ditë. Në një kohë pandemie kemi arritur të ndërtojmë një biznes solid dhe të qëndrueshëm. Një media të fuqishme dhe kredibile. Nuk do të mund të ëndërroja më shumë”, ka thënë Ahmeti.

Televizioni i gazetarëve nisi transmetimin e drejtpërdrejtë më 10 gusht 2020.