Kancelari gjerman Merz paralajmëron: Udhëheqja iraniane është në ditët e saj të fundit
Këto janë “ditët dhe javët e fundit”: përballë protestave të vazhdueshme në Iran, kancelari Merz e sheh në fund udhëheqjen iraniane. Ministri i Jashtëm Wadephul kërkon sanksione më të ashpra kundër Teheranit.
Përballë protestave masive në Iran, kancelari gjerman Friedrich Merz parashikon, sipas fjalëve të tij, një fund të afërt të udhëheqjes shtetërore në atë vend.
“Kur një regjim mund ta mbajë pushtetin vetëm me dhunë, atëherë ai, në fakt, ka marrë fund. Supozoj se tani po shohim ditët dhe javët e fundit të këtij regjimi,” tha politikani i CDU-së gjatë vizitës në Indi. Merz-i e kishte dënuar tashmë dhunën e forcave të sigurisë iraniane kundër demonstruesve paqësorë të hënën si “të tepruar” dhe “brutale”.
“I bëj thirrje udhëheqjes iraniane të mbrojë popullin e saj në vend që t’a kërcënojë,” tha ai.
Merz lavdëroi shprehimisht guximin e demonstruesve. Ata po kërkonin në mënyrë paqësore lirinë në vendin e tyre, dhe kishin çdo të drejtë ta bënin këtë. Wadephul në favor të sanksioneve më të ashpra kundër Iranit Ministri i Jashtëm Johann Wadephul gjithashtu kritikoi ashpër udhëheqjen iraniane.
Irani është një “regjim i padrejtë” pa legjitimitet mes popullit, i cili përdor mjete “që shkelin të gjitha normat e njerëzimit” kundër popullsisë së tij, tha politikani i CDU-së.
Pas një takimi me ministrin e Jashtëm amerikan Marco Rubio në Uashington, ai bëri thirrje për masa më të ashpra kundër udhëheqësve në Teheran. Wadephul-i njoftoi se qeveria federale do të kërkonte zgjatjen e sanksioneve kundër qeverisë iraniane.
Kjo përfshin shtimin e saj në listën e sanksioneve të BE-së kundër terrorizmit. Deri tani, kjo nuk ka qenë e mundur sepse kërkohet unanimitet. Për më tepër, komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë të qartë së bashku se qëndron në solidaritet me popullin iranian, tha Wadephul-i.
Ai dhe Rubio ranë dakord për këtë pikë. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara duan të punojnë drejt një deklarate të përbashkët nga vendet e G7. Për më shumë se dy javë, iranianët kanë protestuar kundër sistemit autoritar të qeverisjes. Protestat, të nxitur nga një krizë ekonomike, tani kanë marrë një dimension kombëtar. Forcat e sigurisë po përgjigjen me forcë brutale. Këto janë protestat më serioze në Iran në vite.
Aktivistët vlerësojnë se rreth 650 vetë janë vrarë Organizata për të drejtat e njeriut me bazë në Oslo, Iran Human Rights (IHRNGO), e çon bilancin e të vdekurve që nga shpërthimi i protestave në fund të dhjetorit në të paktën 648. Rrjeti për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, HRANA, gjithashtu raportoi gati 650 të vdekur.
Këtu përfshihen 505 protestues, nëntë prej të cilëve fëmijë, si dhe 133 vetë personel ushtarak dhe policor. Sipas disa vlerësimeve, mund të jenë vrarë më shumë se 6.000 persona, siç raportohet nga IHRNGO në platformën X.
Disa vlerësime e vendosin numrin e arrestimeve në mbi 10.000. Aktualisht, nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur këto shifra, pjesërisht për shkak të ndërprerjes së internetit dhe telekomunikacioneve, që vazhdon./ DW

