75 Mall Live Search
21:09 / E Mërkurë, 02 Korrik 2025 / Z S

Kancelari gjerman refuzoi të valëvis flamurin e ylberit: Bundestagu nuk është një tendë cirku

Kancelari gjerman, Friedrich Merz është kritikuar ashpër nga partitë e majta pasi refuzoi thirrjet për të valëvitur flamurin e ylberit mbi Bundestagun më 26 korrik, në Ditën e Christopher Street.

Në një intervistë për televizionin publik ARD, Merz mbështeti vendimin e mëparshëm të kryetares së Bundestagut, Julia Klöckner, për të refuzuar këtë kërkesë.

“Bundestagu nuk është një cirk ku mund të valëvitet çdo flamur”, tha shefi i qeverisë gjermane.

Ai shtoi se flamuri i ylberit duhet të shfaqet vetëm më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, shkruan euronews.

“Të gjitha ditët e tjera valëviten vetëm flamuri gjerman dhe ai evropian – dhe ky është vendimi i duhur,” theksoi ai.

Deklaratat e kancelarit shkaktuan indinjatë tek deputetët e opozitës. Sophie Koch, komisionere qeveritare për të drejtat LGBT dhe deputete e Partisë Socialdemokrate, akuzoi Merzin se nënkupton se komuniteti LGBT trajtohet si “kafshë cirku”.

Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Katharina Dröge, tha se flamuri i ylberit “përfaqëson një grup që po përballet gjithnjë e më shumë me armiqësi, dhunë dhe urrejtje” dhe meriton vend në parlament.

Deputetët e Gjelbër organizuan një protestë të heshtur në sallën e Bundestagut duke veshur rroba me ngjyrat e ylberit.

Në vitet e kaluara, Bundestagu ka valëvitur flamurin gjatë ngjarjeve kushtuar komunitetit, dhe kancelarët e mëparshëm kanë marrë pjesë në festimet e Ditës Christopher Street – një traditë gjermane që rrjedh nga trazirat në Stonewall në New York në vitin 1969.