08:28 / E Enjte, 24 Nëntor 2022 / L K

Kancelari gjerman: Rusia po lufton “një betejë të humbur” në Ukrainë

Rusia po lufton një betejë që tashmë e ka humbur kundër Ukrainës, tha kancelari gjerman Olaf Scholz, duke theksuar se tani është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të fitojë në fushën e betejës”.

“Prandaj, kam një apel për Putinin: Ndaloni vrasjet e pakuptimta, tërhiqni të gjitha trupat tuaja nga Ukraina dhe bini dakord për bisedimet e paqes me qeverinë ukrainase,” tha kancelari gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades.

Scholz dënoi gjithashtu sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, duke e cilësuar si terrorizëm ndaj popullatës civile.

Fakti që Rusia ka goditur me bomba infrastrukturën civile për javë të tëra tregon edhe një herë sa i pamëshirshëm është Vladimir Putin në luftë, përfundoi ai.