16:48 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Kandidatët për policë së shpejti u nënshtrohen testeve

17 mijë e 500 të rinj kanë aplikuar këtë vit  për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Pas përfundimit të aplikimeve, tashmë ata presin që t’u nënshtrohen testeve të nevojshme. Sipas informacioneve ende jo zyrtare, nga ky numër i kandidatëve pritet të zgjidhen vetëm 300 zyrtarë policor të cilët do të shpërndahen në rajone të ndryshme.

Në një përgjigje për Indeksonline nga Zyra e Informimit në Policinë e Kosovës është thënë se pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe shqyrtimit të gjitha aplikacioneve, do të bëhet publike lista me numrin e kandidatëve që kanë plotësuar kriteret duke përcaktuar: data, vendi dhe koha e mbajtjes së testit me shkrim.

“Gjithashtu do të publikohet edhe lista e kandidatëve evetualisht të diskualifikuar. Pastaj komisioni përzgjedhës sipas procedurave të parapara vazhdon me shqyrtimin e ankesave eventuale”, është thënë tutje në përgjigjen e tyre.

Kandidatët për policë do t’i nënshtrohen testit me shkrim, testit të aftësive fizike, intervistës, testit psikologjik, kontrollimit mjekësor dhe verifikimit të së kaluarës.

Të drejtë konkurrimi kanë pasur të gjithë shtetasit e Kosovës të moshës 18 deri në 30 vjeç, që kanë përfunduar shkollimin e mesëm, që janë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, pa dënime në ndonjë vepër penale dhe të cilët nuk posedojnë tatuazh në vend të dukshëm (fytyrë, qafë dhe duar), të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike./Indeksonline/