75 Mall Live Search
11:18 / E Mërkurë, 10 Qershor 2026 / b l

Kandidati për ambasador të SHBA-së në Kosovë do të nominohet gjatë javëve të ardhshme, thotë Zahner

Luke Zahner, bashkëpunëtor i lartë në Departamentin për Siguri Kombëtare dhe Politikë Ndërkombëtare në Qendrën e Progresit Amerikan (Center for American Progress) në Uashington dhe ish-diplomat amerikan, ka deklaruar për portalin serb Kosovo Online se nuk mendon që është problem fakti që Shtëpia e Bardhë ende nuk ka nominuar një ambasador për Kosovën, pasi ambasada në Prishtinë funksionon me kapacitet të plotë dhe ka një të ngarkuar me punë shumë të kualifikuar.

Zahner pret që kandidati për ambasador në Kosovë të nominohet gjatë javëve ose muajve të ardhshëm.

“Ambasada funksionon me kapacitet të plotë dhe është shumë e angazhuar në terren. Aktualisht ka një të ngarkuar me punë shumë të kualifikuar. Ndoshta nuk do të shohim hapa të mëdhenj që Shtetet e Bashkuara do t’i shtynin përpara sa i përket Serbisë dhe Kosovës ose rajonit në tërësi. Por nuk mendoj se kjo do të ketë domosdoshmërisht ndikim negativ në marrëdhëniet dypalëshe në periudhën e afërt”, ka thënë ish-diplomati amerikan.