75 Mall Live Search
14:10 / E Hënë, 04 Janar 2021 / OSH

Kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj telefonatë me senatorin Bob Dole, e falënderon për mbështetjen e madhe amerikane ndaj Kosovës

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, përmes një telefonate që e ka pasur me senatorin Bob Dole, e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, njëherësh edhe kryetar në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se ka zhvilluar një telefonatë me senatorin Bob Dole, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë jetës.

“Si kryeministër i ardhshëm e sigurova atë se, edhe në sfidat dhe proceset e ardhshme, përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit tonë, do të jetë forcimi i partneritetit strategjik midis dy vendeve tona”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, derisa ka shpërndarë edhe një fotorafi, ku shihet bashkë me Bob Dolen.

Lexoni të plotë statusin e Enver Hoxhajt:

Kisha kënaqësinë dhe nderin që gjatë një bashkëbisedimi shumë të mirë t’i uroja Vitin e Ri mikut të madh të Kosovës, ish-kandidatit për president të SHBA-së, senatorit Bob Dole. Edhe këtë herë, sikur gjatë gjithë jetës së tij, senatori Dole shprehu dashurinë e tij të madhe për Kosovën dhe urimin që të kemi një vit sa më të mbarë dhe me më shumë prosperitet. E falënderova përzemërsisht senatorin Dole për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës. Si kryeministër i ardhshëm e sigurova atë se, edhe në sfidat dhe proceset e ardhshme, përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit tonë, do të jetë forcimi i partneritetit strategjik midis dy vendeve tona. Aty ku është Amerika është edhe Kosova!