75 Mall Live Search
16:31 / E Enjte, 04 Mars 2021 / Blerim

Kanos dhe lëndon gruan, një muaj paraburgim burrit nga Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Habib Zeqiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 2 mars 2021 në Ferizaj, në shtëpinë e tyre, pas mosmarrëveshjeve paraprake, ka kanosur dhe lënduar tani të dëmtuarën bashkëshorten e tij.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Sipas vlerësimit të gjyqtarit të  procedurës paraprake, janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat ligjore të KPPRK-së, duke pasur parasysh se i pandehuri deri në momentin kur dyshohet të jetë kryer vepra penale ka jetuar në një hapësirë me të dëmtuarën, ekziston rreziku që i njëjti të ndikojë në rrjedhën normale të procedurës penale, ngase duke parasysh karakteristikat e të pandehurit i njëjti lehtësisht mund të ndikojë në forma të ndryshme tek e dëmtuara, e që si rrjedhojë do ta vështirësonte këtë çështje në faza tjera të procedurës, ndërsa po të gjendet në liri, mund të përsërisë vepra të tilla penale, sidomos karshi tani të dëmtuarës.