75 Mall Live Search
15:44 / E Shtunë, 02 Prill 2022 / MSH

Kanosi zyrtarët, një muaj paraburgim për të pandehurin

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit S.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3, ndaj personit zyrtar.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 31 mars, në profilin e tij “Facebook”, , seriozisht i kanos personat zyrtar – përfaqësuesit e institucioneve – Prokurorisë së Shtetit, Gjykatës dhe Policisë së Kosovës, në lidhje me punën apo pozitën e tyre që kanë, në atë mënyrë që ka postuar tekstin me përmbajtje kanosëse, me ç’rast me këto veprime tek përfaqësuesit e institucioneve kanë shkaktuar ankth dhe frikë si dhe ua ka rrezikuar sigurinë personale” ka deklaruar Gjykata.

Gjykata thotë se ka pasur parasysh faktin se i pandehuri është edhe kryerës i veprave tjera penale kryesisht veprave penale të dhunës, lëndimeve trupore dhe kanosjes.

Këto kanë bërë që Gjykata të marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit që vlen nga data e arrestimit, 1 prill, deri më 30 prill.