KANS-ja mban takimin vjetor me kompanitë ajrore: Fokus në rritjen e cilësisë dhe planet për 2026
Ofruesi i Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë (KANS), zhvilloi takimin vjetor konsultativ me kompanitë ajrore që marrin shërbimet e saj, me qëllim shqyrtimin e zhvillimeve gjatë vitit 2025 dhe prezantimin e planeve strategjike për vitin 2026.
Në takim morën pjesë përfaqësues të “Turkish Airlines”-it dhe “Austrian Airlines”-it, të cilët u pritën nga drejtori i përgjithshëm i KANS-së z. Samir Bllacaku, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Diskutimet u fokusuan në rritjen e cilësisë së shërbimeve, forcimin e bashkëpunimit operacional dhe planifikimin e përbashkët për përmirësimin e proceseve në të ardhmen.
KANS-ja nënvizon rëndësinë thelbësore që kanë kompanitë ajrore si shfrytëzues kryesorë të shërbimeve të saj. Kontributet, sugjerimet dhe përvoja e tyre luajnë një rol të pazëvendësueshëm në përmirësimin e standardeve të sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë së operacioneve ajrore në vend.
Drejtori i përgjithshëm i KANS-së theksoi: “Bashkëpunimi me kompanitë ajrore është themeli mbi të cilin ndërtohen shërbime më të sigurta dhe më efikase. Vlerësojmë lart partneritetin me “Turkish Airlines”-it, “Austrian Airlines”-in dhe të gjitha kompanitë që operojnë në hapësirën tonë ajrore, pasi kontributi i tyre na ndihmon të përmirësojmë vazhdimisht shërbimet dhe standardet tona.
”KANS-ja shpreh falënderime të sinqerta për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e tyre të rëndësishme në forcimin e partneriteteve në fushën e aviacionit.

