75 Mall Live Search
23:05 / E Premte, 28 Nëntor 2025 / MSH

Kaos në Mbretëri të Bashkuar: Problemi në software sjell vonesa dhe ndërprerje fluturimesh

Pasagjerët ajrorë në Mbretërinë e Bashkuar janë paralajmëruar për potencial të lartë vonesash dhe ndërprerjesh fluturimesh, pasi Airbus ka identifikuar një problem software-i që prek një numër të madh avionësh të familjes A320.

Në një deklaratë, kompania njoftoi:
“Analiza e një incidenti të fundit që përfshinte një avion të familjes A320 ka treguar se rrezatimi i fortë diellor mund të korruptojë të dhënat kritike për funksionimin e kontrolleve të fluturimit. Airbus ka identifikuar një numër të konsiderueshëm avionësh A320 në shërbim që mund të preken.”

Incidenti që çoi në këtë hetim lidhet me një fluturim të JetBlue nga Cancún për në Newark, më 30 tetor, kur avioni pësoi një humbje të papritur lartësie duke lënduar disa pasagjerë.

Zëdhënësi i Airbus-it tha se ndryshimi i nevojshëm i software-it pritet të ndikojë deri në 6,000 avionë.

Për shumicën, përditësimi do të zgjasë rreth 2–3 orë, por disa avionë do të kenë nevojë edhe për ndryshime hardware, gjë që mund të zgjasë më tepër.

Mes kompanive të prekura janë British Airways, Lufthansa dhe Wizz Air.
Airbus ka kërkuar zyrtarisht që Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të BE-së (EASA) të lëshojë një direktivë sigurie për avionët e prekur.

Autoriteti i Aviacionit Civil britanik paralajmëroi se priten vonesa dhe anulime.
Disa kompani do të preken më shumë se të tjerat — kompania kolumbiane Avianca madje ka pezulluar shitjet e biletave për 10 ditë.

EasyJet njoftoi se pret ndërprerje dhe do të informojë klientët për çdo ndryshim në program.

American Airlines tha se çështja prek 340 avionë dhe mund të shkaktojë vonesa operacionale, por shumica e përditësimeve pritet të përfundojnë brenda sot ose nesër.

Wizz Air paralajmëroi ndërprerje gjatë fundjavës, ndersaAir India tha se mund të ketë vonesa për shkak të problemit.

Ndërkohë, British Airways konfirmoi se vetëm tre avionë të saj janë prekur dhe se përditësimet do të kryhen gjatë natës, pa pritur ndikim në operacionet e fluturimeve.