Kaos pas tërmetit në një burg të Pakistanit, arratisen mbi 200 të burgosur

Mbi 200 të burgosur janë arratisur nga Burgu i Qarkut Malir në qytetin Karachi të Pakistanit natën e së hënës, pasi një tërmet me intensitet të ulët shkaktoi panik në burg.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, rreth 2,000 të burgosur ishin nxjerrë nga qelitë për t’u numëruar pas tërmetit që kishte ndodhur rreth orës 00:45 të mëngjesit, por situata ishte përkeqësuar dhe shumë prej tyre ishin arratisur.
Është bërë e ditur se deri tani, 78 prej tyre janë kapur sërish, një është vrarë gjatë ndjekjes dhe dy të tjerë janë plagosur.
Zyrtarët kanë shtuar se shumica e të arratisurve janë përdorues droge dhe kjo mund të ketë ndikuar në sjelljen kolektive të turmës gjatë panikut, ndërkohë autoritetet kanë ngritur një komision hetimor për të analizuar ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësit.