75 Mall Live Search
10:42 / E Hënë, 10 Mars 2025 / L K

Kaos total në Gjermani, anulohen shumica e fluturimeve

Në Gjermani, të hënën po zhvillohet një grevë njëditore e punëtorëve në 13 aeroporte, përfshirë Frankfurt dhe Mynih, duke shkaktuar anulimin e shumicës së fluturimeve.

Greva zgjat 24 orë dhe u organizua nga sindikata ver.di. Ajo përfshin punonjës të sektorit publik, si dhe personelin e sigurisë. Greva e sindikatave ka në shënjestër aeroportet e Hamburgut, Bremenit, Hanoverit, Berlinit, Duseldorfit, Dortmundit, Këlnit/Bonit, Leipzigut/Halle, Shtutgartit dhe Mynihut.

Aeroporti i Frankfurtit ka anuluar 1054 nga 1116 ngritje dhe ulje të planifikuara. Të gjitha nisjet dhe mbërritjet e rregullta në aeroportin e Berlinit janë anuluar, ndërsa Aeroporti i Hamburgut tha se asnjë nisje nuk do të ishte e mundur, duke prekur më shumë se 40,000 pasagjerë.

“Sjellja e sindikatës ver.di është e pandershme: një grevë pa njoftim paraprak goditi Aeroportin e Hamburgut në fillim të sezonit të festave,” tha zëdhënësja e aeroportit Katja Bromm.

Aeroporti i Këlnit tha se nuk kishte shërbime të rregullta pasagjerësh dhe Aeroporti i Mynihut këshilloi pasagjerët të prisnin “një orar fluturimi shumë të reduktuar”.

Edhe pse greva ishte paralajmëruar paraprakisht në fund të javës së kaluar, largimi i punëtorëve thuhet se u bë vetëm me një njoftim gjysmë ore për të “siguruar efektivitetin e saj”. /Indeksonline/