15:48 / E Hënë, 02 Nëntor 2020 / OSH

Kapen 560 kilogramë kokainë, serbët prapa këtij pazari

Policia Spanjolle në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA), sekuestroi 560 kilogramë kokainë. Ngjarja ka ndodhur në Galicia të Spanjës dhe dyshohet se është drejtuar nga Gerardo Rial Iglesias, një diler i njohur i drogës.

560 kilogramë kokainë u gjetën në një shtëpi me qira në Galicia, dhe vlera e drogës së kapur mund të arrinte çmimin e 15 milionë eurove.

Droga u soll nga Amerika e Jugut dhe ata kishin për qëllim t’i transportonin ato në shtete evropiane. Disa serbë janë të përfshirë në këtë rast, të cilët edhe janë arrestuar, shkruan Indeksonline.

Dy serbët e arrestuar kanë qenë të njohur për policinë për një kohë të gjatë dhe kanë dosje të rënda krimi.

Anëtarët e bandës kishin disa kompani, të cilat shërbenin si mbulesë për biznesin e paligjshëm. Anëtarët e bandës komunikuan me njëri-tjetrin ekskluzivisht në kode, duke përdorur telefona të koduar dhe aplikacione speciale kompjuterike.

Kokaina ishte paketuar dhe ishte e gatshme për treg. Paketimet e kokainës së sekuestruar ishin shënuar me tre etiketa të ndryshme. Në disa prej tyre ishte stema e klubit të futbollit Manchester United, ndërsa në të tjerët ishte një fotografi e një qeni, dhe në disa pako ishte shenja JVR./Indeksonline/