75 Mall Live Search
14:34 / E Mërkurë, 31 Mars 2021 / k.v

Kapen emigrantët në Han të Elezit, ishin fshehur në një kamion që transportonte lodra fëmijësh

Policia e Kosovës, konkretisht Policia kufitare, më 30.03.2021 gjatë realizimit të detyrave zyrtare në funksion të implementimit të planit operativ: “Parandalimi i hyrjes së emigrantëve ilegalë dhe kontrabandimi me mallra” rreth orës 10:40 në hyrje të Republikës së Kosovës në Terminalin doganor, Hani i Elezit, ka ndaluar kamionin e tipit “Renault”, me ngjyrë të zezë me rimorkio, të cilin e ngiste shoferi mashkull-shqiptar, i cili transportonte mallra nga një shtet tjetër.

Kamioni është kontrolluar nga zyrtarët policorë me pajisjen “Human Presence Detector” (Zbuluesi i pranisë së njerëzve në automjete) dhe gjatë kontrollit pajisja në fjalë ka dhënë shenja (sinjale) se në rimorkio mund të këtë prezencë qeniesh njerëzore. Pas pranimit të sinjalit është vendosur që rimorkio në fjalë të hapet dhe të kontrollohet. Në hapjen e kamionit kanë marrë pjesë dy zyrtarë policorë dhe një zyrtar doganor.

Pasi është hapur mbuloja e rimorkios është vënë re se aty gjendeshin tre persona (emigrantë ilegalë) të fshehur në lodra fëmijësh (mall i ngarkuar në rimorkio).

Emigrantët janë zbritur nga rimorkio për t’u identifikuar dhe kontrolluar, ndërsa kamioni është dërguar në hangar të terminalit për t’u kontrolluar më detajisht, përderisa shoferit i është ofruar edhe ndihma mjekësore.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet kompetente policore dhe veprimet e mëtejme janë marrë në koordinim me prokurorin.