75 Mall Live Search
10:14 / E Mërkurë, 23 Prill 2025 / k.v

Kapet i dyshuari që vodhi ar dhe orë luksoze në vlerë prej 120 mijë eurosh në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30-ditësh për të pandehurin B.B., i cili dyshohet për një vjedhje të rëndë në vlerë të përgjithshme prej rreth 120 mijë eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur, më 21 prill 2025, në orët e mëngjesit, në Pejë. I dyshuari ka shfrytëzuar mungesën e pronarit dhe të familjes së tij, të cilët ndodheshin për pushime jashtë vendit. Duke përdorur forcën, ai ka hapur një dritare në katin e dytë të shtëpisë dhe është futur brenda, ku ka kryer vjedhjen.

Nga shtëpia janë marrë sasi ari në vlerë rreth 30,000 euro, para të gatshme në shumën prej 7,000 eurosh, si edhe orë dore të markave të njohura, me vlerë të përllogaritur në rreth 87,000 euro. Pas aktit, i dyshuari është larguar nga vendi pa u vërejtur nga askush, transmeton IndeksOnline.

Mirëpo, në të njëjtën ditë, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës ka gjetur disa nga orët e vjedhura, të cilat janë identifikuar si pronë e viktimës.

Prokuroria ka bërë të ditur se në seancën e procedurës paraprake do të kërkojë caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak të rrezikut të ikjes dhe ndikimit në prova.

Rasti po trajtohet si vepër penale: “Vjedhje e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./IndeksOnline/