75 Mall Live Search
11:01 / E Premte, 21 Mars 2025 / L K

Kapet në flagrancë fajdexhiu në Prizren, i dha para me fajde hallexhiut dhe i bënte presion

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka arrestuar në flagrancë personin me inicialet Z.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ai njëjti ka kryer veprat penale: “Fajdeja” nga neni 331 par.1, dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.1, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri Z.V., që nga data 01.03.2025 deri me datë 19.03.2025 e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.H., në atë mënyrë që i dëmtuari me datë 01.03.2025 kishte huazuar nga i pandehuri një shumë të caktuar parash, me afat të kthimit prej tre-katër ditësh.

I dëmtuari duke qenë në gjendje të rëndë financiare, nuk kishte arritur t’ia kthejë shumën e parave, duke kërkuar nga i pandehuri edhe dy ditë shtesë për kthimin e borxhit, ku i dëmtuari pas një jave ia kthen të hollat duke ia dhënë të dëmtuarit shumën e caktuar në emër të kamatës.

Pastaj, i pandehuri pas një jave, në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale, i bënë presione të vazhdueshme të dëmtuarit, duke e kanosur me qëllim të detyrimit të të dëmtuarit që të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke i kërkuar shuma të tjera të parave në emër të kamatës.

I pandehuri me datë 20.03.2025 takohet me të dëmtuarin nga i cili pranon shumën e caktuar në emër të kamatës, dhe arrestohet në flagrancë nga policia.Me këto veprime, i pandehuri i lartëcekur, ka kryer veprat penale: “Fajdeja” dhe “Detyrimi” sipas KPRK-së.Për të pandehurin e arrestuar, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.