75 Mall Live Search
11:47 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / KV

Kapet në Morinë kosovari i kërkuar nga Interpoli për vjedhje me dhunë dhe plagosje

Një 35-vjeçar kosovar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze, është arrestuar nga Policia Kufitare e Morinës në bashkëpunim me Drejtuesinë Vendore të Policisë së Kukësit, në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të pikës kufitare, u kap shtetasi: J.K., 35 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se i arrestuari ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Oslo, pasi ndaj tij është ngritur akuzë nga Gjykata Lokale Sor Rogaland (Norvegji) për veprat penale: vjedhje me dhunë dhe plagosje.

Shtetasi J. K. është ndaluar me qëllim ekstradimi drejt Norvegjisë, ndërsa Interpol Tirana dhe Interpol Oslo po ndjekin procedurat për dorëzimin e tij autoriteteve norvegjeze.

Ky operacion vjen në kuadër të masave të rrepta për kontrollin e kufijve, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.