75 Mall Live Search
14:33 / E Hënë, 03 Mars 2025 / k.v

Kapet nga RENEA një person me rrezikshmëri të lartë afër Lezhës (Video)

Forcat Speciale RENEA, në bashkëpunim me Policinë e Lezhës dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, kanë arrestuar një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ishte në kërkim për gjobëvënie ndaj bizneseve. 

I arrestuari është J. Ll., 46 vjeç, i cili ishte pjesë e një grupi kriminal që vendoste gjoba ndaj bizneseve duke ushtruar presion dhe kërcënime me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë. Ky grup, sipas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës, përbëhej nga pesë persona, ku një është arrestuar më parë dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht më 19 shkurt 2025. 

Gjatë operacionit, policia sekuestroi:  Një armë gjahu, municion luftarak dhe dy automjete të blinduara.

Këto mjete përdoreshin për kryerjen e veprimtarisë kriminale të shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie. 

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.