75 Mall Live Search
12:47 / E Martë, 27 Maj 2025 / mp

Kapet një shqiptar me 126 kilogramë kokainë në Brescia të Italisë

Një sasi prej 126 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Guardia di Finanza e Brescias të Italisë gjatë një operacioni në kuadër të kontrollit të territorit. Lënda narkotike u zbulua pas një hetimi të hollësishëm, i cili nisi nga vëzhgimi i lëvizjeve të dyshimta të një shtetasi shqiptar, i cili frekuentonte një banesë në një komunë të provincës së Brescias.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e dyshuara, oficerët e njësisë së policisë ekonomike dhe financiare gjetën 109 blloqe kokainë, si dhe materiale të ndryshme për paketimin e saj dhe shuma të konsiderueshme parash, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale, raporton A2CNN-i.

Sipas autoriteteve, kjo është një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës të regjistruara ndonjëherë në zonën e Brescias. Duke pasur parasysh pastërtinë e lartë të drogës së sekuestruar, vlera e saj në treg mund të shkonte përtej 14 milionë eurove.

I dyshuari është arrestuar dhe ndodhet aktualisht në burgun e Brescias, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm dhe rrjetin e shpërndarjes.