Kapet njëri nga tre të dyshuarit për tentimvrasjen e ndodhur në Fushë Kosovë

Të martën e kaluar, rreth orës 19:00, persona të panjohur kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture në Fushë Kosovë. Vetura ishte dëmtuar nga plumbat ndërsa ngasësi i saj kishte shpëtuar mrekullisht. Pas hetimeve intenzive, policia ka arritur të kapë njërin prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerë janë ende në arrati, transmeton IndeksOnline.
“Pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar tre meshkuj kosovarë të dyshuar për kryerjen e veprës penale, njëri prej të cilëve është arrestuar, ndërsa dy të tjerë gjenden në kërkim policor. Me vendim të prokurorit i arrestuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tentimvrasja kishte ndodhur në rrugën “Dardania”, me 18.09.2022 ku menjëherë policia i ishte përgjigjur vendit të ngjarjes dhe kishte njoftuar se përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar./IndeksOnline/