Kapet sasi e madhe atletesh “Adidas” fals në Kosovë
Dogana e Kosovës, përmes zyrës së saj në Prishtinë, ka ndërmarrë një aksion kontrolli të suksesshëm, duke ndaluar një sasi prej 570 palë këpucë sportive që bartnin shenjat dalluese të markës tregtare “Adidas”, të dyshuara si falsifikime.
Gjatë kontrollit të kryer nga oficerët doganorë, është vërejtur se mallrat ishin të kamufluara në mënyrë që të shmangnin identifikimin e menjëhershëm të markës, çka ngriti dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale (DPI).
Ky rast tregon përkushtimin e Doganës së Kosovës në luftimin e mallrave të falsifikuara, si edhe në mbrojtjen e konsumatorëve dhe kompanive të ligjshme nga konkurrenca e padrejtë.
Dogana e Kosovës do të vazhdojë me masa të rrepta kontrolli dhe bashkëpunim me përfaqësuesit ligjorë të markave ndërkombëtare, për të siguruar zbatimin e Ligjit dhe mbrojtjen e tregut vendës nga produktet e falsifikuara.

